Falja: ndryshim i së shkuarës apo zhvillim i së ardhmes?


Le të jemi të sinqertë. Falja nuk është gjëja më e lehtë në botë. Dikush ka bërë diçka që ju lëndon e mendja juaj nuk ju lejon ta harroni atë. Ju vazhdoni të ndiheni fajtor për diçka që keni thënë e bërë, vazhdoni të fajësoni veten dhe sërish mendja juaj nuk ju lejon ta harroni atë.

Të gjithë e kemi provuar pak a shumë këtë ndjenjë të vështirë, që do të thotë që ne shpesh lejojmë që e kaluara të mbizotërojë në jetët tona e rrjedhimisht ne nuk jetojmë jetën tonë ashtu si duhet. Mendimet që forçojnë vazhdimisht përvojat tuaja të dhimbshme, të tilla si: zemërimi, hidhërimi apo turpi e faji, shpesh, ju bëjnë më të dobët.

Atëherë çfarë mund të bëjmë? E thjeshtë të gjesh një mënyrë për të hedhur pas këto emoçione dhe për të krijuar një hapësirë të paqes së brendshme. E thjeshtë nuk do të thotë domosdoshmërisht e lehtë, por katër teknikat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë në proçesin e dhimbshëm të faljes.

1.      Ndërgjegjësimi për mendimet tuaja.

Ndani veten nga mendimet e ndjenjat dhe së shpejti do të filloni të kuptoni se nuk e identifikoni veten ekskluzivisht me mendjen tuaj. E merrni dot me mend se ç’ndodh kur ndaheni nga mendja juaj? Ka një ndryshim shumë të madh. Me kalimin e kohës modelet e vjetra të mendimit dobësohen, ndjenja e vetëvlerësimit forçohet dhe bëhet më e lehtë për ju të zgjidhni mendime dashurie, dhembshurie e faljeje.

2.      Përqendrimi në falje e dashuri 

Në vend që të lejoni që hidhërimi dhe zemërimi të dominojë mbi ju, kthehuni tek dashuria me të gjithë forçat tuaja. Ka pafund gjëra në këtë jetë që mund t’i duash. Një zemër e përmbytur nga dashuria është më e fortë se një mendje e mbushur me mendimet e zemëruara.

3.      Përdorni fuqinë e perspektivës për të falur

Nëse e pranojme qe ngjarja ka ndodhur dhe nuk mund të kthehemi pas, na e bën më të lehtë të largohemi përfundimisht prej saj. Imagjinoni veten tuaj diku në të ardhmen: një njeri tashmë më i mençur që lundron në detin e jetës me besim. Ose një person i çili është i bllokuar përsëri e përsëri me mendime zemërimi, hidhërimi e faji. Është thjesht perspektiva nga këndi i së çilës ju shihni gjërat. Nga njëra anë një jetë ku pranon me vetëdije lumturinë dhe paqen tënde gjithëpërfshirëse, nga ana tjetër një jetë me mendimet e përsëritura të urrejtjes e hidhërimit. Zgjedhja është e juaja!

4.      Krijoni një zakon të faljes

Çdo natë, para se të flini mbushni mendjen tuaj me mendimet që keni zgjedhur qëllimisht. Mendime që i ngjajnë atyre të pohimit të vetvetes. Unë jam një njeri që jap dhe marr dashuri. Unë zgjedh të fal, unë mësoj dhe evoloj çdo ditë. Unë jam i durueshëm dhe i mirë me veten dhe të tjerët. E lë të kaluarën time pas. Unë pranoj që kam bërë më të mirën që mundem. Unë bëhem personi që zgjedh të jem. Kjo është mënyra se si ne programojmë veten tonë duke i ofruar mendjes sonë të pavetëdijshme diçka pozitive për ta përpunuar. Ndaj mos harroni funksionin e mendjes suaj te pavetëdijshme. Ajo është partneri juaj krijues, ajo krijon jetën tuaj duke tëhequr ngjarje e përvoja që përputhen me mendimet tuaja mbizotëruese.   

Me dëshirën dhe shpresën që juve t’ju mbizotërojë githmonë dashuria e falja, ju kujtoj edhe njëherë se fuqia më e madhe jeni ju. Guxoni të falni e mbi të gjtha, guxoni të dashuroni e të jetoni. 


NLP Albania

The art of change

 


Comments

Popular Posts