Të zgjedhësh të ndryshosh

Zgjedhim apo jo... e megjithatë ne ndryshojmë. E vetmja gjë universale e sigurtë dhe e qartë është se ne ndryshojmë fizikisht. Trupi ynë ndryshon e bashkë me të shpalosen edhe ndryshime emocionale dhe ky proces vazhdon gjatë gjithë jetës sonë.

Përse disa këmbëngulin dhe zgjedhin të mos ndryshojnë? Le t’i shohim së bashku. Në një kontekst më të përgjithshëm ka disa arsye ose dikush mund të besojë se njeriu nuk zgjedh të ndryshojë. Së pari, është ai grup njerëzish që ka zgjedhur vetë ta besojë këtë dhe kjo i është bërë mënyrë jetese, i është bërë programi i tij autopilot. Së dyti, shumë prej njerëzve kane frikë të hapin shpirtin e tyre, të largojnë nga jeta e tyre emocione, imazhe e ngjarje të së kaluarës Ndonjëherë disa ndjehen mirë sepse kanë besimin se kjo situatë i shërben dhe përpiqen të bindin veten se dikush tjetër ka vendosur për jetën e tyre. Së fundmi, shumica prej njerëzve shpesh bëjnë skenare të frikshëm dhe negative për të ardhmen, të cilat sigurisht i bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme, por në thelb konfirmojnë të njëjtën gjë, të mos ndryshojnë.

Të gjitha arsyet janë të mundshme dhe unë i besoj dhe vlerësoj ato bashkë me personin që i beson ato. Askush nuk mund t’i akuzoj ata e me c’të drejtë vallë? Shumë herë të zgjedhësh të ndryshosh është rrugë e vështirë. E kush mund të na detyrojë ne të bëjmë dicka që nuk dëshirojmë? Në jetën tonë personale askush nuk mund të ndërhyjë nëse nuk zgjedhim t’i japim lejen.

Ndryshimi është një zbulim personal. Një zhytje në fund të detit tonë të errët. Sa më shumë të zhytemi, aq më afër jemi për të zbuluar thesarin tonë personal. Një thesar forcash të fshehura: dashuri, mirësi, liri e zgjedhjeve etj. Por kujdes, kush zhytet në thellësitë e mëdha duhet të marrë frymë thellë .....ose të ketë me vete një bombël oksigjeni për ta ndihmuar të kërkojë 'thesarin' e tij. Askush nuk do ju garantojë se do ta gjeni atë lehtësisht. Ashtu si rrënojat e anijeve që kanë qendruar prej shumë viteve dhe kanë zhvilluar cdo organizëm detar për t’u mbrojtur. Ashtu ndodh edhe me ne njerëzit, me shpirtin tonë kur përpiqemi të zbulojmë veten. Dikush nga ne beson se i ka vendosur vetë këto pengesa, dikush tjetër beson se i janë vendosur nga të tjerët. E cfarë rëndësie ka në fund të fundit. Fakti që dikush zgjedh t’i ndryshojë ato e sjell atë nje hap më para shpirtit të tij. Kjo është forca thelbësore. E vërteta personale zbulohet tashmë para tij dhe ai thirret për ta menaxhuar atë.

Disa kanë frikë nga ajo që do të zbulojnë. Ata nuk mund ta durojnë, ata nuk duan as ta shohin, ata nuk dinë ta përdorin atë thesar për mirë. Ata zgjedhin të rikthehen në sipërfaqe për të mos u kthyer atje më asnjëherë. Por ka dhe nga ata që në këtë fund të errët shohin rrezet e para të dritës, që janë aty për t’i udhëhequr dhe për t’i ndicuar në shtigjet e tyre të errëta. Zgjedhin të angazhohen, janë të vendosur, të përkushtuar, ata i premtojnë vetes se do ta cojnë këtë zbulim deri në fund. Ata e dinë që vështirësitë, hidhërimi e mërzitja janë pjesë e zbulimit të thesarit të tyre. 

Po ti, cfarë zgjedh? A do të mbash edhe ti premtimin? A do të zgjedhësh të krijosh jetën që meriton? Cfarëdo që të zgjedhësh, mos harro se thesari është brenda teje dhe fuqia më e madhe je TI.

Është jeta jote!

Comments

Popular Posts