TË ZGJEDHËSH DASHURINË

 


Jeta është një puzzle dhe njerëzit që na rrethojnë janë copëzat e tij. E për të pasur tablonë e plotë na duhen të gjitha copëzat. Copëzat alternohen vazhdimisht. Shpeshherë ne shtojmë e heqim pjesëza, të tjera herë ndryshojmë apo eksperimentojmë me kombinime të reja. Disa copëza i kemi humbur gjatë jetës sonë dhe po ashtu, gjatë saj kemi zbuluar edhe copëza të reja. Përmes kësaj rrjedhe të vazhdueshme ne mësojmë veten, njohim dhe kuptojmë më mirë nevojat e po ashtu edhe dëshirat tona. 

Na ndodh shpesh që të mendojmë për jetën tonë, të bëjmë plane, të krijojmë një imazh specifik për veten tonë, karrierën, njerëzit që duam të kemi afër e gjëra të tjera që do donim të ishin pjesë e jona. Në përditshmërinë tonë, duke u futur në marrëdhënie me të tjerët dhe më thellë me veten tonë, ne arrijmë të kuptojmë se jo gjithmonë imazhi që kishim krijuar për jetën tonë fuksionon. Jo gjithmonë fuksionon për ne ashtu sic e kemi pritur, ëndërruar e dëshiruar. Në të vërtetë nuk ka siguri pasi jeta e tillë është ndërtuar, pa fatura garancie.

Ju nuk mund të kontrolloni se si të tjerët sillen me ju, por ju mund të kontrolloni sjelljen tuaj që flet për identitetin tuaj. Reagimi juaj është zgjedhja juaj. Në një mënyrë të ngjashme ju nuk mund të kontrolloni si të tjerët do flasin për ju, por ama mund të kontrolloni veten dhe të përdorni një komunikim më të moderuar. Ju nuk mund te kontrolloni të gjitha pengesat, vëshirësitë e sfidat që jeta do ju sjellë në rrugën tuaj, por ju mund të kontrolloni mënyrën se si t’i menaxhoni ato. Ju duhet të dini se të gjithë kemi kohë pas kohe vështirësi. Aftësia dhe mënyra se si do i përgjigjemi atyre bën diferencën dhe na identifikon nga njëri-tjetri.

Duhen situata të vështira për të kultivuar forcë, guxim, durim e mencuri. Midis të gjitha këtyre, unë zgjedh dashurinë. Të zgjedhësh dashurinë na mundëson rënien në kontakt të drejtpërdrejtë me besimet kufizuese, planet e vjetra, e të bëjmë nje zgjedhje duke shpresuar se do të na drejtojë drejt zgjidhjes së dëshiruar. Të zgjedhim të ecim përpara drejt lirisë sonë ose të qëndrojmë në iluzionin e sigurisë.

Të zgjedhësh dashurinë na lejon të piqemi emocionalisht, mendërisht, shpirtërisht dhe na mundëson të arrijmë në nivele të larta të vetëdijes dhe perceptimeve shpirtërore. Të zgjedhësh dashurinë edhe pasi dikush të ka lënduar do të thotë që po merr mësime nga pësimet e vetë jetës tënde. Duke zgjedhur të falim dhe të duam ne thyejmë të paktën ciklin tonë të së keqes, zemërimit, urrejtjes e dhimbjes. Të zgjedhësh dashurinë i frymëzon dhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Të zgjedhësh dashurinë të jep paqe sepse ne jetojmë në harmoni me ndërgjegjen tonë, vlerat e idelat më të larta. Të zgjedhësh dashurinë do të thotë të heqësh perden e injorancës që kufizon mendjet tona të programuara. Të zgjedhësh dashurinë e vërtetë, atë që buron nga forca e mençuria. Sepse fuqia më e madhe në jetë jeni JU!


NLP Albania 

The art of change

Comments

Popular Posts