PËR DORE, ME TY, VETJA IME!

 


Dhe tani ne të dyja...me veten time ndjej një siguri dhe qetësi të paparë në një kohë kaq të pasigurt. Ndjej se së bashku mund të përballojmë frikën, t’i qëndrojmë asaj me kuriozitet, të deshifrojmë mesazhin e saj, të shfrytëzojmë dhe të zhvillojmë potencialin tonë ekzistues. Ndoshta tani s’kemi nevojë te ngutemi, por të respektojmë ritmin tonë.

 E dashur vetja ime,

Pas intensitetit të muajëve të para, për shkak të ndryshimit që mori jeta jonë e përditshme (nevoja për komunikim të vazhdueshëm me të afërmit për atë që po ndodh dhe morinë e qëllimeve që unë duhet të vendosja, përparësitë, ritmin etj)…sërish bashkë. Koha dhe jeta jonë morën një dimesion tjetër. Ritmet e ngadalta mendoja se do më  kënaqnin pasi si mua edhe ju, në fund të fundit jemi ankuar se vrapojmë dhe nuk arrijmë, por realiteti ishte ndryshe. Jam mësuar të vrapoj, përpjekjet e përditshme, ndjekja e pafund e qëllimeve dhe nevoja për të rritur listën time të arritjeve.

Ne të dyja…qëndruam shumë kohë bashkë. Shumë herë unë kënaqem me shoqërinë tënde, unë gëzohem cdo moment me ty, ndihem krenare për atë që kemi arritur. Të besoj ty ëndrrat e mia të ardhshme dhe e shoh  këtë lidhje shumë të dobishme e krijuese. Ka raste të tjera kur unë kam nevojë të përballem  me frikën time të errët, të vajtoj për humbjet e së kaluarës, të shikoj pasiguritë e mia, të përballem me zgjedhjet e mia deri tani...Ndonjëherë më duhet të rri më shumë kohë me ty, me mendimet e ndryshme, ndoshta dhe me emocionet e pakëndshme. Ndonjeherë ndjej nevojën të vrapoj drejt gjërave dhe vendeve që nuk kam shkuar ndonjëherë, të eksploroj gjëra të reja.

Virxhinia Satir e quan ‘harmonizim’ të qenurit i sinqertë me ndjenjat tona, që do të thotë të kemi qëndrueshmëri midis asaj që ndjejmë, asaj që besojmë dhe asaj që komunikojmë. Dhe ndërsa kjo për shumë nga ne duket e thjeshtë,  vënia në zbatim e praktikë shumë herë bëhet e vështirë duke sjell vështirësi në marrëdhëniet tona me veten dhe të tjerët.Mosnjohja e vetes dhe pamundësia e të mësuarit të emocioneve tona si një burim i informacionit të vlefshëm dhe të shumëanshëm potencialisht i përdorshëm nga ne con në beteja të brendshme të pafundme që dëmtojnë aftësinë tonë për të menduar qartë.

Ashtu si thoshte Aristoteli, të jesh i zemëruar është e lehtë, por të zemërohesh me personin e duhur, për arsyen e duhur, në shkallën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin dhe mënyrën e duhur është e vështirë. Motoja ‘Njih Vetveten’, e përdorur shpesh nga Sokrati mund të bëhet një udhëzues i shkëlqyeshëm në përgjigjet tona emocionale. Bëhet fjalë për vetëndërgjegjësim, kuptimin më të thellë të vetvetes përmes përpjekjeve të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për të vëzhguar qartë atë që po ndodh brenda nesh dhe atë që ndjejmë në një mënyrë që na lejon të thellohemi akoma më shumë dhe kurrësesi të zhytemi me to. Sic shprehet Goleman, aftësia jonë për të vetëkontrolluar emocionet tona rrit vetëbesimin dhe vetëvlersimin tonë, na lejon të menaxhojmë realitetin tonë, të brendshëm me optimizëm e shpresë dhe vecanërisht, me besimin se ne mund të ndikojmë në njgjarjet e jetës sonë dhe të përballemi me sfidat tona. Dhe ne të dyja  gjithmonë bashkë, për të ripërcaktuar qëllime dhe zgjedhje të reja, për të guxuar  e për të sjellë së bashku frymën e ndryshimeve të mëdha.

Fuqia me e madhe jeni JU dhe vetja juaj!


NLP Albania 

The art of change

 

Comments

Popular Posts