SPEKTATOR NË SALLË APO AKTOR NË SKENË?






Sa prej nesh, kur jemi duke ndjekur një film dhe kur afron një skenë e frikshme, mbajmë frymën, duart fillojnë të na djersiten dhe ndoshta ndonjëherë lëshojmë edhe ndonjë pasthirrmë në mënyrë të pavetëdijshme. E nëse e mendon, është thjesht një film që luhet në ekran, por megjithatë ka një ndikim të madh në jetën tonë dhe na përfshin aq shumë, sa ne bëhemi në atë cast një me të.

Vëllezërit Lumiere, në vitin1896, luajtën një pjesë e cila kishte një kohëzgjatje prej një minute e gjysmë, episod ky në të cilin shfaqej një tren i cili vinte me shpejtësi drej kamerës. Kur këtë episod e shfaqën në ekran, ata vunë re reagimet e njerëzve, të cilët kishin tendencë të largoheshin nga vendi i tyre sa herë që zmadhohej lëvizja dhe përjetonin faktin që treni po afrohej para syve të tyre. Nuk dinin t’i jepnin një shpjegim asaj që u ndodhte, vecse shihnin trenin që shfaqej dhe reagonin në të njëjtën mënyrë që do bënin edhe në realitet. Por sa shume që i njëjti reagim njehsohet me realitetin tonë!

Ndodh shpesh që njerëzit të shohin teksa luhen brenda trurit të tyre eksperienca të kaluara ose krijohen skenare për të ardhmen. Ata shpeshherë shqetësohen, ndjejnë frikë, ankth e përjetojnë ndjenja të ndryshme nën idenë e parashikimeve se cfarë mund të ndodhi në të ardhmen. Sa nga ne kemi menduar e shpresuar që fati të ishte me ne, që të fitonim një lotari apo një udhëtim, një trajnim jashtë vendit apo një bursë shkolle. Në mënyre të pavetëdijshme ne hyjmë në procesin e ëndërrimit, bëjmë plane të përjetojmë emocione të gëzuara dhe mbi të gjitha të shpresojmë.

I paraqita këta shembuj  për t’i parë në këndvështrimin se i njëjti mekanizëm paralelizohet me atë të fuksionit të mendjes sonë, se mendja jonë prodhon, krijon si një studio filmike  më shumë përfitime për ne. Ky lloj mekanizmi i kërkimit të ngjarjeve, eksperiencave të ndryshme, ndihmon trurin tonë të krijojë, të lidhë  ide e ndjenja.  Ai fshin, shton, krijon skenare se si ëndërron të bëhesh dhe vë në punë fantazinë tonë.

Mendja jonë nuk mund të përcaktojë nëse një ngjarje ndodh në të vërtetë apo është thjesht pjellë e fantazisë sonë. Mjafton vetëm një kujtim i një ngjarjeje të së shkuarës. Një kujtim është mjaftushëm të zgjojë ndjenjat ashtu si një film që shfaqet sërish në trurin tonë. E kur dikush mendon dicka për të ardhmen, ai krijon e përjeton këtë film në të tashmen.

Dhe tani që e dimë këtë fuksion të trurit tonë le ta shohim pak se cfarë ndodh kur ne duam të arrijmë qëllimet tona. Një qëllim i arritur ka dy anë: atë të  rezultatit  përfundimtar dhe atë të udhëtimit për arritjen e rezultatit. Arritja përfundimtare e qëllimit është një nga prodhimet më të mëdha të regjizorit tonë: mendjes sonë.  Ajo fillon me një ide, me një krijim figure dhe një ndjenjë. Këto janë tre elementët bazë më të rëndësishëm,  Pra, që në momentin që ne themi cfarë duam apo nuk duam të bëjmë/të kemi etj truri ynë nis procesin e të menduarit, nis të shohi, të krijojë me figura dhe të ndjejë një ndjenjë të vecantë. Ajo që nuk doja të lija pa e përmendur këtu është se gjuha që përdorim ka një ndikim të madh dhe sa herë ne ndryshojmë fjalët, truri ynë sjell ose kufizime ose një rrjedhë të re mendimesh.

Në librin e saj “Mindset: The New Psychology of Success” Carol S. Dweck na tregon një eksperiment social.  Ajo mori në studim disa nxënës dhe i ndau në dy grupe me qëllimin të shihte jo vetëm mënyrën e arritjes së qëllimit të dhënë, por edhe si ata do të zhvilloheshin gjatë këtij udhëtimi. Ajo i ndau nxënësit në dy grupe. Ju dha nje detyrë të vështirë për të realizuar dhe i caktoi secilit grup qëllime të ndryshme. Grupi të parë i tha se qëllimi është menaxhimi i ankthit që do të përjetoni gjatë realizimit të detyrës. Grupit të dytë i tha se qëllimi ishte ajo që do të mësonin, cfarë aftësie të re do të kishin pasi ta kishin realizuar atë detyrë. Ajo vuri re që grupi i dytë kishte mësuar nga gabimet e tij. Ata kishin mësuar si të ndihmonim njëri-tjetrin, kishin mësuar mënyra të reja zgjidhjeje dhe menaxhimi emocionesh duke e lënë grupin tjetër mbrapa. Cfarë do të thotë kjo në praktikë në jetën tonë të përditshme?

Nuk mund t’i tregojmë askujt sa i zgjuar është, por t’i ngulitim idenë që është i zgjuar duke  provuar, duke zbuluar dhe mësuar dije të reja cdo ditë. Çelësi i sekretit është mënyra se si ndikojmë në procesin e zhvillimit të trurit tonë dhe kjo varet nga cfarë kanë lënë të tjerët tek ne dhe se sa ne do vazhdojmë ta sjellim këtë ndikim pozitiv të njohjes së fuksionit të trurit tek gjenerata e re.

Së fundmi, qëllimi i këtij shkrimi është që ne t’ju bëjmë me dije se, në studion tonë të krijmtarisë, përveç roleve të skenaristit e regjisorit, ekziston edhe një rol tjetër, ai i aktorit. Ju ftoj të beheni jo vetëm audiencë spektator, por edhe aktor në atë që quhet jetë, por jo vetëm. Është jeta juaj! Merrni të gjitha rolet, krijoni, shikojeni atë, luajeni dhe mos harroni që…

fuqia më e madhe jeni JU!

NLP Albania 
The art of change 



Comments

Popular Posts