Nën kurthin e skenarit tonë...





Alex Duwe, në përrallën “Kush e pa pyllin e vërtetë”, na përshkruan udhëtimin e miushes së vogël Loreta, së bashku me vëllezërit e saj, në pyll. Në këtë udhëtim ajo takon një merimangë të madhe, e cila ishte varur në degën e një pemë. Pasi u futën të dyja në bisedë, Loreta e pyeti:
- Si ndihesh e varur kokëposhtë ?
- E varur kokëposhtë? - i përgjigjet merimanga duke e parë me dyshim se me kë po fliste Loreta .
- Po, ti je e varur me kokën poshtë, - iu përgjigj duke qeshur Loreta, duke menduar se merimanga po bënte shaka me të .
- Unë jo, -  i thotë merimanga, - ti je duke ecur mbi tavanin tim.
- Por kjo është një gjë që duket, - iu përgjigj Loreta, plotësisht e sigurt, -ti je në të kundërt edhe me mua, edhe me pemën, edhe me gjithcka.
-Mendoj se atë që ti sheh kokëposhtë, unë e shoh normal, - këmbëngulte merimanga.

 Ne njohim, mbështetim , mendojmë,  sillemi, interpretojmë  dhe  i japim kuptim asaj çfarë ndodh rreth nesh duke u bazuar  në atë që ne i japim më shumë fokus dhe përkushtim. Brenda secilit prej nesh ka shumë potencial dhe aftësi të cilat nevojiten në zgjidhjen e situatave të ndryshme, por mënyra jonë e të vepruarit ndikohet nga çfarë kemi mësuar dhe kemi kultivuar gjatë rritjes.  

Çfarë shpreh secili nga ne, mënyra se si mendon dhe sillet është një pasqyrim me të cilën sheh botën e tij dhe çdo gjë që e rrethon. Çdo njeri ndërton një realitet të vetin duke u bazuar në perceptimet e tij, e si rrjedhojë ai modifikon  sjelljet personale në përgjigje të këtij realiteti. Secili nga ne ndërton realitetin dhe percepton  botën  në mënyrë individuale dhe rrjedhimisht prodhohet një shkallë e lartë diversiteti mes njerëzve. Ky diversitet është sfida më e madhe që duhet të kuptojmë.

Jam kureshtare se si njerëzit kanë këtë lloj bindjeje, e cila nuk i lejon ata të kenë një mënyrë tjetër veprimi dhe e vërteta është se unë jam kureshtare për ta. A janë edhe ata kureshtarë për mua?

Gjithsecili vepron me besim dhe sjellje të ndryshme nga  tonat, pasi secili nga ne ka një model të ndryshëm bindjesh e vlerash. Është normale që hasim rezistencë, hezitojmë dhe kundërshtojmë ide, sjellje  apo veprime sepse na duken të huaja.

Le të ndalemi pak këtu, le të bëhemi pak më shumë mendjehapur…Le t’i shohim, përpara se ne t'i largojmë këta njerëz,  le të provojmë diçka të re, të shohim se çfarë na mësojnë këto DIJE, për të cilat nuk kemi patur njohuri më parë. Le të guxojmë për diçka ndryshe nga ajo që kemi ditur deri tani, pasi si thotë dhe Albert Ajshtajn:

Çmenduri është të bëjmë gjithmonë të njëjtat gjëra dhe të presim rezultate të ndryshme.”

Së fundmi një nga parimet e rëndësishme të NLP na vë në pah dhe një herë se: Nuk ka asnjë njeri që të mos këtë brenda tij fuqinë dhe mjetet për të pasur gjërat që dëshiron në jetë. Ka vetëm situata të pashfrytëzuara siç duhen.

Shumë herë, ne biem në kurthin e skenarit tonë, duke e besuar këtë skenar, por të jeni të sigurt, të gjithë jemi më shumë nga ajo që kemi ngritur në mendjen tonë dhe mbi të gjitha, nga ajo që ne besojmë. Na pëlqen ajo që njohim, por mësojmë nga ndryshimi.

Guxoni të ndryshoni!
Fuqia më e madhe jeni JU.

NLP ALBANIA
The art of change

Comments

Popular Posts